Mbrëmje me mikrofon të hapur
Një mbrëmje me moderator dhe me tekste, këngë, poezi, devocione ose skeçe të shkruara nga vetë pjesëmarrësit. Kryesorja është që t’i kenë bërë dhe t’i paraqesin vetë! Herët e para drejtuesit e të rinjve duhet të japin vetë shembullin, dhe atëherë një mbrëmje e tillë me mikrofon të hapur mund të jetë një përvojë që të pasuron! Mund të ftosh edhe kishën tënde! Për këtë të duhen 4 deri 6 javë përgatitje.
Basta Pasta
Drejtuesit e të rinjve gatuajnë makarona (spirale dhe spageti), dhe të rinjtë duhet të sjellin salca që mjaftojnë të paktën për 4 veta. Këshillë: që të ketë ekuilibër mes salcave me domate dhe salcave me krem, shpërndaj më parë copëza letre të kuqe dhe të bardha. Salcat duhet të jenë sa më kreative.
Tandem
Një drejtues i të rinjve dhe një vullnetar i ekipit marrin 8 minuta kohë për të bërë një lojë, një mesazh të shkurtër, një skeç ose diçka tjetër kreative. Qëllimi është të bëhet një mbrëmje e larmishme me të rinjtë dhe për ta.
Udhëtim në kohë
Ndaji të rinjtë në grupe me 4 ose 5 veta dhe jepi çdo grupi një varg biblik. Grupet kanë 15 deri 20 minuta për t’u përgatitur dhe pastaj duhet ta sjellin vargun biblik në kohën e sotme. Duhet të jenë sa më kreativë. Çdo ekip mund të fitojë pikë me rep, këngë, tekst, poezi ose mjete të tjera.
Kafe me të moshuarit
Fto 2 ose 3 të moshuar nga kisha jote dhe lëri të dëshmojnë për jetën e tyre me Jezusin. Mund t’u japësh dy pyetje si pikë kryesore: «si vendosën të ndjekin Jezusin» dhe «si e gjetën partnerin e jetës». Sigurisht, mund t’u japësh edhe mundësinë të tregojnë përvoja të tyre.
